Haradinaj: Angazhimi i ri i EULEX-it ndihmon forcimin e institucioneve të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim drejtorin e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian për planifikim civil dhe aftësi të sigurisë (EEAS) Vincenzo Coppola.
Kryeministri Haradinaj e ka uruar drejtorin Coppola për marrjen e detyrës dhe ardhjen e tij për të shërbyer në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka thënë se mirëpret bashkëpunimin që institucionet tona e kanë me ato të misionit të EULEX-it dhe se mandati i ri do të ndihmojë që të forcojë kapacitetet e tyre.
“Unë e mbështesë angazhimin e ri të EULEX-it në rolin e tij që t’i forcojë institucionet tona. Pothuajse të gjitha lëndët janë transferuar nga EULEX-i në institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa sa i përket sundimit të ligjit, ne e kemi rritur buxhetin për drejtësinë, pagat për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë dhe më e rëndësishmja kemi çuar përpara ligjet e nevojshme për të përmirësuar sistemin gjyqësor në vend”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj ka theksuar se pakoja e ligjeve të antikorrupsionit është miratuar në parlament dhe se në rrugë janë edhe ligje të tjera të rëndësishme në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.
Po ashtu gjatë takimit është diskutuar edhe për Dhomat e Specializuara si dhe për çështje të tjera të rëndësishme për vendin.
Ndërkaq drejtori Coppola ka vlerësuar lartë angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të çuar përpara agjendën legjislative të vendit, duke treguar gjithashtu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e dyanshëm.
/Epoka e re/