Haradinaj ankohet në Apelin e Gjykatës Speciale
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e ka caktuar një trup gjykues të Gjykatës së Apelit në kuadër të këtij tribunali, për ta shqyrtuar një ankesë të nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Trupi gjykues i përbërë nga tre gjykatës do ta shqyrtojë ankesën e Haradinajt, i cili e apeloi vendimin e gjykatësit Nicolas Guillou për t’ia vazhduar atij paraburgimin.
Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen janë gjykatësit që do ta shqyrtojnë dhe do të vendosin lidhur me ankesën e Nasim Haradinajt.
Haradinaj është arrestuar në Prishtinë më 25 shtator të vitit të kaluar në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga gjykatësi një ditë më parë, dhe u transferuar në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë më 26 dhjetor.
Më 24 dhjetor të vitit që shkoi, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka urdhëruar vazhdimin e mbajtjes së Haradinajt në paraburgim dhe e refuzoi kërkesën e tij për ta mbajtur një seancë për këtë çështje.
Të martën, Haradinaj e ka apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale.