Haradinaj: Arsimi është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë

01 nëntor 2018 | 14:33

“Qeveria, e cila jep më shumë buxhet për arsim, do të thotë që e ka me rëndësi atë”, kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë pjesëmarrjes në ngjarjen publike me moton “Roli i Prindërve në Arsimimin e Fëmijëve”, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe GIZ.

Haradinaj ka treguar se para disa muajsh, nga një grup fëmijësh pati marr një peticion, ku kërkohej që arsimi të vendoset si prioritet.

Sipas kryeministrit, arsyeja që i ka bërë sot bashkë, është roli i prindërve në arsimimin e fëmijëve dhe fushata për “Arsim më të mirë në Kosovë”.

“Edhe unë jam prind, por sot jam në një detyrë tjetër, në atë se çka ka bërë Qeveria që peticionin që e kam marr ta res­­pektoj”, ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se ka shumë lajme të mira për t’ju thënë.

Sipas kryeministrit Haradinaj, lajmi i parë është se për një arsim të mirë, duhet respektuar profesorët, pedagogët, edukatorët, prandaj, me Ligjin për Paga, ata respektohen shumë, por prapë jo sa duhet, duke ditur se ata meritojnë shumë.

Kryeministri Haradinaj më tutje ka theksuar se arsimi është vendosur si një nga prioritetet kryesore të jetës dhe si vërtetohet edhe nga fakti, sepse buxheti i vitit që vjen, parasheh shumën prej 300 milionë euro dedikuar arsimit, pra 12 për qind më shumë se në vitin që po e lëmë.

“Qeveria, e cila jep më shumë buxhet për Arsim, do të thotë që e ka me rëndësi atë”, është shprehur ai, duke shtuar se njëkohësisht është rrit edhe buxheti nëpër komuna dedikuar arsimit në vlerë 185 milionë euro dhe kështu ato kanë 14 milionë më shumë se këtë vit.

Kryeministri Haradinaj ka theksuar se ka mbetur shumë punë për t’u bërë, si programet, kurrikulat, menaxhimi i shkollave dhe mospolitizimi i shkollave.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që po kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në arsim, veçanërisht nxënësit që kanë bërë peticionin, organizatën GIZ, si dhe Bashkimin Evropian dhe UNICEF-in, duke iu uruar për sukses në të ardhmen.

Ndërkaq ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka theksuar se është bërë një punë shumë e mirë gjatë kësaj fushate për arsimim më të mirë dhe se duhet bërë gjithçka për fëmijët e Kosovës, si pasuria kryesore e saj.

Ministri Bytyqi ka shtuar se së bashku me partnerin GIZ  dhe shumë partnerë tjerë ndërkombëtarë të cilët  nuk janë ndalur së reshturi përveç t’i kryejnë obligimet ditore dhe është diskutuar që të  eliminohet çdo  mangësi që ekziston në sistemin arsimor në Kosovë për të trasuar një sistem me standarde të larta.

Kurse Boris Scharlowski, përfaqësues i GIZ – udhëheqës i projektit Ngritja e Kapaciteteve në Arsimin Fillor, ka thënë se sot po festohet përvjetori i fushatës për “Arsim më të mirë në Kosovë”, për ngritjen e arsimit si prioritet kryesor, ngase kjo ka të bëjë me perspektivën dhe të ardhmen e fëmijëve.

/Epoka e re/  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka shkuar në 12 numri i deputetëve që janë larguar…