Haradinaj: Arsimi do të jetë prioritet i Qeverisë në vitin 2018

03 janar 2018 | 15:45

 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar të mërkurën Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë, me ç’rast është pritur nga ministri Shyqiri Bytyqi.

Në takim është biseduar për përgatitjet për testin “PISA 2018” (Programi Ndërkombëtar i Vlerësimit të Studentëve), por edhe për arsimin fillor dhe atë të mesëm, në veçanti për sigurinë dhe pastërtinë nëpër shkollat tona.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se gjendja në arsim nuk është e mirë, por ka theksuar se arsimi është prioritet i qeverisë dhe fokusi në të do të jetë i vazhdueshëm.

Kryeministri ka thënë se testi PISA, i cili është një vlerësim ndërkombëtar, duhet të merret seriozisht nga MAShT-i dhe institucionet e tjera përgjegjëse. “Një pjesë e përgjegjësisë bie për kryetarët e komunave, për drejtorët e drejtorive të arsimit nëpër komuna dhe zbret deri te mësimdhënësit dhe nxënësit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj ka shprehur shqetësimin në përgjithësi për arsimin fillor dhe atë të mesëm, me theks të veçantë nivelin e sigurisë nëpër shkolla, problemin me narkotikë, duke theksuar se këto do të trajtohen me seriozitetin më të madh.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se vizita e kryeministrit Haradinaj në MAShT në fillim të vitit, është dëshmi se qeveria dhe kryeministri po i kushtojnë rëndësi.

“Në takim i diskutuam sfidat dhe punët që na presin në vitin 2018. Në kuadër të shumë temave që i diskutuam ishte edhe ‘PISA 2018’, një test që presim që në muajt në vazhdim të kemi një dinamikë të shtuar të punës, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për mbajtjen e testit final”, ka deklaruar ministri Bytyqi.

(A.SHEFKIU)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Jurgen Klopp nuk do të rikthehet në Bundesliga, pasi…