Haradinaj: As Vuçiqi e as Kurti nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre.
“As presidenti i Serbisë e as kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës nuk duhet të paguajë çmim për veprimet e papërgjegjshme e kalkuluese politike të regjimit në Serbi, apo të veprimeve të papërgjegjshme të qeverisë në Prishtinë, e cila çoi në rrëmbimin e policëve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj, për më shumë se dhjetë ditë.
“Lirimi i tyre është bërë i mundur vetëm falë ndërhyrjes së diplomacisë amerikane, prandaj gjithë falënderimi dhe mirënjohja jonë shkon për ta”, ka shkruar Haradinaj.