Haradinaj: ATK ka mision të rëndësishëm për vendin
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në 18-vjetorin e themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës.
Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, deklaroi se taksapaguesi është njeriu ynë, është njeri i Kosovës. “Kur ai i kryen obligimet, duhet ta ruaj ndjenjën e mirë ndaj publikut, institucioneve, ndaj asaj që është e përbashkët dhe është detyrë jona që t’i bëjmë ata të kenë ndjenjën që e kanë qytetarët e vendeve të zhvilluara”, është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, Kosova ka shumë potenciale dhe shumë resurse. “Çdo hallkë e sistemit tonë e ka për detyrë me qenë absorbues i investimeve të reja, duke filluar prej atyre të vendit e njëkohësisht edhe të investimeve të huaja”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Administrata Tatimore e Kosovës ka një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.