Haradinaj, BE-së: Kosova është Evropë
Në 19-vjetorin e themelimit të AAK-së, kryeministri, njëherësh kryetar i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, ka thënë se populli i Kosovës është Evropë.
“Jemi të gatshëm për t’i takuar familjes politike dhe ekonomike të Evropës, por edhe kjo e fundit duhet ta kuptojë se Kosova është Evropë. Na jemi edhe të botës që i prinë Amerika”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se Serbia duhet t’i kërkoj falje Kosovës për tragjeditë e shkaktuara gjatë luftës, duke i bërë thirrje palës serbe që ta njohin shtetësinë e Kosovës.
“Është ma mirë për Serbinë që t’i kërkojë falje Kosovës për tragjedinë e luftës së ’99-të dhe për të filluar një jetë të re”, është shprehur Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, i cili po vazhdon të mbajë qëndrimin e njëjtë për taksën 100 përqind ndaj produkteve serbe, ka thënë se me njohjen e Kosovës nga Serbia, këta të fundit do të kalonin më lehtë në zhvillim ekonomik dhe do të zhvillonin tregti të lirë pa pengesa.
Por sipas Haradinajt, për këtë nuk ka vullnet politik nga ana e Serbisë.