Haradinaj bën homazhe në Kompleksin Memorial të familjes Berisha në Suharekë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të familjes Berisha dhe në varrezat e dëshmorëve, në 22-vjetorin e masakrës së kësaj familje në Suharekë.
Në këtë përvjetor, Haradinaj ka përuruar muzeun e kësaj familje dhe ka vendosur kurora lulesh te lapidari i martirëve në Suharekë.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se këto ditë janë të dhimbshme, jo vetëm për familjet dhe Suharekën, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.
“Ne i bashkohemi dhembjes së familjes sepse kjo nuk është dhimbje vetëm e familjes të cilës i mungojnë më të dashurit e tyre, në këtë rast edhe fëmijë nga një, dy e tre vjeç, dhe kjo është e dhimbshme. E vërteta që ende trupat e tyre nuk janë kthyer dhe nuk dihet për fatin e tyre, prandaj janë ditë të dhimbjes jo vetëm për familjen, për Suharekën por janë ditë të dhimbjes kudo që jetojmë ne. Kjo dhimbje do të mbahet gjallë që ta dinë brezat që liria dhe shteti e ka çmimin e vet”, ka thënë Haradinaj.