
Haradinaj bën homazhe në Rahovec: 25 marsi i vitit 1999 shënon një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 75 të rënët në Celinë, 68 në Fortesë dhe 54 në Brestoc, në 26-vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe.
Ai ka thënë se 25 marsi 1999 shënon një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë.
“25 marsi 1999 shënon një nga ditët më të dhimbshme të historisë sonë, kur regjimi kriminal i Millosheviqit masakroi fëmijë, gra dhe pleq të pafajshëm, duke lënë pas plagë të pashlyeshme. Sot, në përkujtim të kësaj sakrifice, bashkë me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, bashkëluftëtarë dhe kolegë, ishim pranë familjeve që me krenari dhe dhimbje kujtojnë 75 të rënët në Celinë, 68 në Fortesë dhe 54 në Brestoc”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Më tutje, ai ka thënë se plagët e asaj kohe janë ende të hapura.
“Plagët e asaj kohe mbeten të hapura, ndërsa kujtimi i viktimave na obligon të mos harrojmë kurrë dhe të kërkojmë drejtësi”, ka shkruar Haradinaj.