Haradinaj bën homazhe te lapidari i komandant Rokit
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së Rahim Beqirit – komandant ‘Roki’, të premten ka bërë homazhe te lapidari i tij në fshatin Kopërnicë të komunës së Kamenicës.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se si çdo popull që i ka qëllimet dhe interesat e veta, e të cilave duhet t’i shërbejmë, edhe shqiptarët i kanë, por interesat e shqiptarëve nuk janë interesa armike për popujt tjerë, por janë të drejta për ne si popull.
Para të pranishmëve, Haradinaj, ka thënë se duke i përfunduar punët tona, ashtu siç i kanë përfunduar heronjtë tanë, të cilët kanë dhënë gjithçka nga vetja deri në flijim, sikur komandant Roki, është detyrë e jona të jemi në kohë, të kërkojmë llogari dhe të besojmë në vetvete.
“Nëse vazhdojmë në këtë rrugë, ju siguroj se do të sigurojmë të drejtat tona si komb shqiptar, do t’i garantojmë ata që jetojnë me ne dhe do të jemi miq për miqtë. Një popull që është i dobët në ekonomi, në siguri, në arsim, nuk mund të jetë mik i askujt, por vetëm barrë e të tjerëve”, ka thënë Haradinaj, duke thënë se është i nderuar që tradicionalisht bashkohet në vendin ku nderohet vepra e komandant Rokit.
Nga një fjalë para të pranishmëve e mbajtën edhe kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkëluftëtari nga Tetova, Fexhri Hasipi dhe djali i komandant Rokit, Vedat Beqiri.
/Epoka e re/