Haradinaj bën homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti dhe të varrezat e dëshmorëve në Velani
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka nderuar sot dëshmorët e Prishtinës.
Ai ka bërë homazhe te shtatorja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, dhe të varrezat e dëshmorëve në Velani.
“Në nderim të dëshmorëve të Prishtinës, kam bërë homazhe te shtatorja e Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, dhe të varrezat e dëshmorëve në Velani. Në ditën e sotme kujtojmë të rënët në masakrën e Makocit dhe dëshmorët e martirët e Betejës së Marecit. Misioni ynë historik për liri dhe pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë dhe sakrificës së martirëve, të cilët gjithmonë do të jenë frymëzim dhe udhërrëfyes në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes sonë, dhe betim yni se ky ishte brezi i fundit që u flijua për atë që është fituar një herë – për tokën, lirinë dhe të drejtën tonë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/