Haradinaj bën thirrje për kujdes gjatë udhëtimeve: Serbia ka riaktualizuar përndjekjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, u ka vërë thirrje qytetarëve të Kosovës që kanë qenë pjesë e çlirimit të vendit të bëjnë kujdes gjatë udhëtimeve sidomos nëpër Serbi.
Ai ka thënë se Serbia ka arritur t’i shtrijë tentakulat e saj edhe në disa vende të rajonit si dhe është duke i shfrytëzuar përparësitë e veta si anëtare e Interpol dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, për ndjekje ligjore në vendet jashtë Kosovës.
“Të nderuar bashkëluftëtarë, Serbia në kuadër të luftës speciale kundër vendit tonë, ka riaktualizuar përndjekjen e qytetarëve të Kosovës që kanë qenë pjesë e çlirimit të vendit, kryesisht ish pjesëtarë të UÇK-së. Fatkeqësisht, Serbia ka arritur t’i shtrijë tentakulat e saj edhe në disa vende të rajonit si dhe po i shfrytëzon përparësitë e veta si anëtare e Interpol dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, për ndjekje ligjore në vendet jashtë Kosovës. Një model i tillë ishte aplikuar me rastin e ndalimit tim në Francë dhe Slloveni. Prandaj ju këshilloj që të bëni kujdes gjatë udhëtimeve tuaja”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.