Haradinaj beson se NATO do t’i jep mbështetje FSK-së me mandatin e ri
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se NATO do t’i jap mbështetje Forcës së Sigurisë së Kosovës në mandatin e ri që i mundësohet nëpërmjet projektligjeve, të cilat tashmë janë miratuar në lexim të parë.
Haradinaj ka thënë se është në kontakt me zyrtarët e NATO-s, dhe se sipas tij, nuk ka hezitime rreth mbështetjes që i jepet FSK-së.
“NATO është një vendimmarrës serioz dhe ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta. Procesi i mandatimit të ushtrisë është me peshë”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për medie.
Haradinaj ka thënë se pavarësisht se FSK-ja nuk do të quhet me emrin ushtri, ajo do ta ketë mandatin ushtarak.
“Dallimi është vetëm ndërrimi i emrit, por mos keni dilema. Jemi thellë të bindur. Ne jemi pjesë e NATO-s dhe ne do të bëhemi me ushtri”, është shprehur Haradinaj.