Haradinaj: Bota duhet ta njohë realitetin e Kosovës dhe atë se kush jemi ne
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një grup prej 55 studentëve të programit Akademia Verore, nga 28 shtete të ndryshme të botës.
Fillimisht kryeministri Haradinaj iu uroi mirëseardhje studentëve dhe i përgëzoi organizatorët për këtë vizitë, duke thënë se sjellja e studentëve dhe të rinjve nga kombe të ndryshme në Kosovë është një gjë e mirë.
Kjo, sepse siç theksoi kryeministri Haradinaj, është shumë e rëndësishme që shumë njerëz të botës të na njohin se kush jemi ne, ta njohin realitetin tonë.
“Kosova është një komb i ri dhe jemi shtet i pavarur që 11 vite. Jemi shtet multientik, dhe po ky është shteti ynë dhe ne ndajmë besimin në vlerat e përbashkëta evropiane. Kemi shumë sfida si një komb i ri dhe shoqëri dhe sfida kryesore për ne ishte ekonomia e shkatërruar gjatë luftës 20 vjet më parë, dhe për shkak të saj ka ende mungesë të vendeve të punës për rininë tonë”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke thënë se sundimi i ligjit ka përmirësuar dhe është duke e përmirësuar luftimin e korrupsionit.
Në fjalën e tij para studentëve, kryeministri Haradinaj ka deklaruar se është sfidë për Kosovën themelimi i besimit brenda komuniteteve, por theksoi se është bërë progres në këtë drejtim por ende duhet punë për t’u bërë.
“Po ashtu presim edhe një marrëveshje më Serbinë për njohjen reciproke në kufijt ekzistues dhe shpresojmë se dialogu do ta sjellë këtë dhe se përmes kësaj do të mund të bashkoheshim më BE-në, NATO-n, në një botë ku rreshtohemi me parimet që drejtohen nga ShBA-ja dhe të gjithë aleatët tanë që na kanë ndihmuar”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Pas fjalës së tij kryeministri Haradinaj zhvilloi një bashkëbisedim me studentët dhe u përgjigj në shumë pyetje rreth punës së tij si kryeministër, sfidat e qeverisjes dhe drejtimin që ka marrë Kosova.
/Epoka e re/