Haradinaj: Brigadën 138 e formuam bashkë me oficerët amerikanë e shqiptarë, serbët i dinë mirë pasojat
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka dëshmuar sot në Gjykatën Speciale në Hagë.
Gjatë marrjes në pyetje nga avokati i tij mbrojtës Toby Cedman, Haradinaj ka thënë se është kthyer në Kosovë në momentin kur e ka marrë vesh se është sulmuar familja Haradinaj në Gllogjan të Deçanit.
Haradinaj ka thënë se aty ka qëndruar deri në kohën kur është plagosur.
“Legalisht unë kam hyrë në Kosovë si i armatosur më 1 janar 1998. Kthehem dhe shkoj në Australi dhe atje e marr vesh se sulmohet fshati im, konkretisht kushëriri im, ose familja Haradinaj, Ramush Haradinaj. Prej atje e kam ndërpre vizitën dhe jam kthyer në Kosovë me 1 prill ose 2 prill të vitit 1998 dhe kam qëndruar aty derisa jam plagosur”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për mjekimin që ka marrë kur është plagosur në luftë.
“E kam udhëhequr frontin e luftës përgjatë vijës Hereq-Baballaq-Prilep. Kam qenë aty. Kur jam plagosur ndihmën e parë e kam marrë në Kosovë, pastaj kam kaluar ilegalisht në Shqipëri. Jam mjekuar edhe aty. Pastaj kam shkuar në Suedi për tri javë, jam kthyer dhe e kam vazhduar aktivitetin”, ka thënë ai.
Më tutje, Haradinaj ka folur edhe për formimin e “Brigadës 138”, në Koshare.
Ai ka thënë se për formimin e kësaj brigade kanë qenë në konsultim me oficerët amerikanë dhe shqiptarë.
“Më vonë me kontributet e mia dhe të shokëve të mi kemi arritur të krijojmë ‘Brigadën 138’, në Koshare që është i vetmi vend ku merret kazerma ushtarake. Ajo në Koshare është specifike sepse kemi qenë në konsultim me oficerë amerikanë dhe shqiptarë dhe mendoj se serbët i dinë mirë pasojat e kësaj lufte dhe kësaj brigade. Madje po xhirojnë film për këtë duke e quajtur xhehenemi ose ferri i Koshares”, ka thënë ai.