Haradinaj: Çështjet me Serbinë zgjidhen me njohje e jo me pazare politike
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se e vetmja mënyrë që të përmbyllet çështja mes Kosovës dhe Serbisë është pajtimi mes dy popujve dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.
Këto komente Haradinaj i bëri në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në rastin e shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të mbajtur në Prizren.
Haradinaj, duke kujtuar Lidhjen e Prizrenit tha se burrshtatasit e asaj kohe ishin përgatitur për kohë të vështira.
“Popujt duhet të punojnë gjithnjë për kohë të vështira. Burrat e asaj kohe, shihet se kishin menduar ndër vite se mund tu vije ajo ditë, që në ditë të caktuar edhe shqiptarët të japin përgjgijen e tyre për të drejtën e tyre”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova gjendet në një periudhë të ndjeshme, pasi siç u shpreh ai, çështjet e pazgjidhura me Serbinë po mundohen që të zgjidhen “me pazare të reja” politike.
“Edhe sot i kemi marrëdhëniet e ndjeshme. Një marrëdhënie e pambyllur Kosovë-Serbi, po synohet që të kthehet në pazare të reja politike. Është e padrejtë që të ndodhë. Ju siguroj se mënyra e vetme që të përmbyllet lufta e ’99-s është me një pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve me njohje mes Kosovës dhe Serbisë pa pazare të tjera të ndyta në dëm të shqiptarëve”, ka thënë Haradinaj.