Haradinaj: Cila është logjika e kryeministrit kur thotë se ShBA-ja nuk mund ta përfaqësojë Kosovën
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se “Unë nuk mund t’i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan dhe as sekretari i shtetit apo departamenti i shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën”.
“Cila është logjika e kryeministrit kur thotë se SHBA nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën, kur nuk mbahet mend që Amerika ta ketë kërkuar një gjë të tillë! (Pse nuk i kishte shkuar ndërmend Albin Kurtit të thoshte në vitin 1999 se Amerika nuk mund ta çlirojë Kosovën)!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai ka shtuar se: “Pse ai me çdo kusht kërkon që Amerikën ta bëjë pjesë të problemit kur ajo ishte dhe është pjesë e zgjidhjes. Pse Albin Kurti mundohet ta krijojë përshtypjen se ai mund të jetë viktimë e një “komploti ndërkombëtar”! Apo po provon që edhe njëherë ta luajë viktimën, si në vitin 2020!”.
Haradinaj ka thënë se detyrat dhe obligimet e një kryeministri janë të rënda, aq më tepër në rastin e Kosovës. “..dhe nëse nuk mund t’u bësh ballë sfidave që t’i nxjerr koha përpara, fajin nuk mund ta kërkosh diku tjetër, pos te vetja! Kosova nuk e ka luksin të bëjë eksperimente duke u armiqësuar me partnerët strategjikë por duhet të shtrohet e të rinisë një fazë tjetër bashkëpunimi. Kjo d.m.th se Kryeministri duhet të bëjë kthesë për 180 shkallë sepse është në drejtimin e gabuar! Ky vit nuk mund të vazhdojë me të njëjtat gabime, sepse me këtë kurs është vënë në rrezik edhe vet ekzistenca e shtetit. Unë u besoj atyre vendeve, që në krye me Amerikën, na janë gjendur në kohë të vështira”, ka shkruar Haradinaj.