
Haradinaj çmon rolin e Pacollit për njohjen nga Kenia: Kundërshtarët sot dolën me video e zë hapur kundër Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas njohjes së Kosovës nga Kenia, duke vlerësuar lobimin e ish-presidentit Behgjet Pacolli për këtë njohje.
Ai gjithashtu ka kritikuar qeverinë Kurti të cilët, sipas tij, nuk kanë dhënë asnjë kontribut për të mirën e Kosovës, duke i akuzuar për qëndrime kundër interesave të vendit pas bisedës që i doli kryeministrit Kurti i cili u mashtrua nga dy komedianë rusë.
Postimi i Haradinajt:
Lajm jashtëzakonisht i mirë njohja e Kosovës nga Kenia. Ata që “e shkatërruan Kosovën për 20 vjet” nuk po ndalen së “shkatërruari” me njohje të reja dhe riparim marrëdhëniesh, qofshin jashtë politikës, qofshin nga pozicioni i opozitës.
Kjo njohje e re, falë ish-presidentit Behgjet Pacolli, le të jetë një zile alarmi për ata që kanë veshë: për Kosovën duhet të punohet nga çdo pozicion, marrëdhëniet me miqtë dhe partnerët duhen ruajtur gjithmonë dhe për avancimin e Kosovës duhet të punohet ditë e natë.
Ata që nuk i bënë asnjë të mirë Kosovës, sot dolën edhe një herë qartazi, me video dhe me zë, kundër njerëzve të saj, kundër administratës së aleatit më të madh të Kosovës dhe, si zakonisht, kundër medias dhe operatorëve ekonomikë kosovarë.