Haradinaj: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, pikënisje e shtetësisë së Kosovës
02 korrik 2019
| 08:50
Sot bëhen 29 vjet që kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.
Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës.
“Kjo ditë, që i dha kahje të re përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi është rezultat i përpjekjeve shekullore të popullit tonë për ta realizuar idealin e lirisë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se gratë dhe burrat, që e vulosen vullnetin e popullit tonë, do të kujtohen dhe lartësohen nga brezat për përpjekjen e tyre për jetësimin e ëndrres shekullore, shtetit të pavarur.