Haradinaj dënon arrestimin e aktivistëve të Aleancës së të Rinjve të AAK-së
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dënuar aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjve të AAK-së, Naim Ramizi, Musa Lekaj, dhe Edonis Kamberi, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë.
“Trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës, dhe ligjeve në fuqi. I bëjmë thirrje pushtetit dhe institucioneve të rendit, që të lirojë menjëherë aktivistët e arrestuar, dhe të mos ua shkelë të drejtën e garantuar të kundërshtimit paqësor e politik qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Aleanca e të Rinjve të Kosovës sot kanë vendosur një arkivol me disa mbishkrime pranë ndërtesës së Qeverisë, teksa deputetët e Kuvendit po debatojnë për taksën 100 për qind.
/Epoka e re/