Haradinaj dhe Palmer diskutojnë për tri tema për Kosovën
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një rol jetik për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, pasi priti në takim zëvendësndihmës sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer.
Në këtë takim u bisedua për situatën aktuale në Kosovë dhe rajon, procesin e transformimit të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës, dialogun Kosovë- Serbi, si dhe aspekte që lidhen me përpjekjet për një unitet ndërinstitucional dhe ndërpartiak rreth dialogut dhe me sundimin e rendit dhe ligjit si dhe proceseve të tjera të rëndësishme të integrimit euro-atlantik.
“Qytetarët dhe institucionet e Kosovës përherë janë falënderues për ndihmën e gjithanshme që kanë dhënë dhe vazhdojnë të jep SHBA-ja, për Kosovën. Kosova është e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në në të gjitha fushat. Kemi arritur rezultate të ndjeshme në fushën e sundimit të ligjit dhe po ashtu, vendi ynë duke e rritë konsolidimin e shtetit nga brenda po e forcon agjendën e saj të integrimit euro-atlantik”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës është duke punuar në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, në zhvillimin ekonomik, dhe për hapjen e vendeve të reja të punës të cilat do të ndikojnë në rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë.
Nga ana e tij, Palmer, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-së për avancimin e agjendës integruese dhe zhvillimore të Kosovës dhe tha se ShBA-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në fuqizimin e shtetit të saj dhe proceset nëpër të cilat po kalon.
/Epoka e re/