Haradinaj: Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa kushte dhe vonesa
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se pajtohet për domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se dialogu në mes të dy shteteve duhet të zhvillohet pa kushte dhe shtyrje.
“Pajtohem për domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria i ka prezantuar QUNIT-it dhe Bashkimit Evropian draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse ku përfshihen tema të papërfunduara për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. E ritheksoj, dialogu pa kushte, pa shtyrje”, ka shkruar Haradinaj.
Ditë me parë, vendet e Quintit kanë kërkuar që Kosova të heqë taksën ndaj mallrave serbe dhe Serbia ta ndal fushatën diplomatike ndaj shtetit të Kosovës, për të vazhduar dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.