Haradinaj: Dialogun e ka bllokuar Serbia, jo Kosova
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se dialogun për marrëveshjen finale në mes dy shteteve nuk po e bllokon Kosova por Serbia.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se Kosova po kërkon vetëm ta di se kah do të shkojë dialogu Kosovë-Serbi. “Ne po kërkojmë kontratë të dimë kah po shkon dialogu. Dialogun e ka bllokuar Beogradi sepse ata thonë se pa u heq taksa s’ka dialog. Nuk e kemi bllokuar ne. Ne ishim në dialog edhe duke e ditur se jemi viktimë dhe kemi mijëra të zhdukur, e viktima. Më mirë është të themi tash jo, se të marrim një kontratë pasi të shkojmë atje, e s’do të ishte mirë t’u themi atëherë jo. Të dimë për çka po shkojmë në dialog”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka treguar se nuk po kërkon garanci prej amerikanëve, sepse u beson atyre.
“S’kam lyp garanci. Kam fol për kontratë. I besoj Amerikës dhe kur ata thonë diçka e di se është ashtu. Por për shumë arsye ne po kërkojmë një kontratë me elementet përbërëse të saj, përfshirë ekonominë dhe tregtinë e lirë. Kjo është ajo që po kërkojmë. Garanci më të madhe se njohja e Amerikës s’mund të kemi. Megjithatë, për marrëdhëniet Kosovë-Serbi na intereson të dimë elementet e kontratës. Unë u besoj amerikanëve dhe si të më thonë kjo është formula, unë u besoj”, është shprehur ai.
/Epoka e re/