Haradinaj: Do të krijojmë më shumë mundësi për punësimin e të rinjve
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi ynë është me fat që ka popullsinë e dominuar nga të rinjtë.
Me rastin e ditës së rinisë, Haradinaj ka thënë se ndonëse ka shumë sfida, Kosova është vend që ofron mundësi edhe për të rinjtë.
“Kosova është me fat që popullsinë e saj e ka të dominuar nga të rinjtë. Të rinjtë tanë sot më shumë se kurrë kanë mundësi të guxojnë, të kërkojnë dhe të ëndërrojnë. Ndonëse përballë kemi shumë sfida, Kosova është vend që ofron mundësi edhe për të rinjtë. Gjeneratat e reja që janë shumë në numër e shumë në ide, kanë krijuar modelin shembullor të të rinjve të arsimuar dhe energjik, dhe që besojnë e promovojnë meritokraci dhe vlerë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Në këtë kontekst Haradinaj ka thënë se do të ofrojnë më shumë mundësi për punësimin e të rinjve.
“Historikisht të rinjtë tanë ka kanë dalë në sfida dhe etapa të shtetndërtimit dhe tani Kosovës më shumë se kurrë i duhet kontributi i rinisë në fusha e procese të rëndësishme të vendit. Do të punojmë në vazhdimësi në bazë të politikave programore përkatëse që të krijojmë sa më shumë mundësi punësimi për ta. Kosovë, urime dita e rinisë”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/