Haradinaj: Drejtësia ka shënuar përparim, por ende kemi sfida
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se institucionet e drejtësisë së Kosovës kanë shënuar përparimin në sundimin e ligjit.
Ai ka thënë se përpjekjet për sundimin e ligjit janë agjendë e përditshme dhe kështu do të jetë për një kohë të gjatë.
Haradinaj këto komente i ka bërë pas zhvillimit të takimit kushtuar kësaj fushe, ku kanë marrë pjesë, përveç përfaqësues të sistemit gjyqësor, edhe ambasadori amerikan Greg Delawie dhe shefja e Zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova.
Kryeministri Haradinaj teksa ka numëruar përparimet e drejtësisë në vend, ka premtuar edhe mbështetje nga Qeveria e tij për këtë çështje.
“Që nga krijimi i kësaj Qeverie sot kemi zhvilluar takimin e 6-të me radhë dedikuar kësaj fushë, aq të rëndësishme në forcimin e shtetit tonë dhe të rrugës sonë të integrimeve euroatlantike. Sot ne pamë nga afër rezultatet e punës në sistemin gjyqësor të Kosovës. Sistemi i drejtësisë po tregon përparim që dëshmon përkushtimin e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se gjykatat e të gjitha niveleve gjatë vitit 2017 kanë pasur në shqyrtim 618 mijë e 991 lëndë, ndërsa janë zgjidhur 310 mijë e 880 lëndë. “Nëse krahasojmë numrin e lëndëve të bartura nga vitet e kaluara, gjykatat në vitin 2017 kanë arritur t’i zvogëlojnë këto raste për 91016, që nënkupton rritje të madhe të efikasitetit”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij 89 për qind e aktakuzave kanë përfunduar me aktgjykime dënuese. “Janë shënjestruar 39 lëndë, për 29 lëndë janë ngritur aktakuzat. Në vitin 2017 janë zgjidhur 412 lëndë të korrupsionit. Efikasiteti i zgjidhjes së lëndëve është përmirësuar dukshëm dhe nga mbi 60 për qind kanë rënë në 30 për qind me shkallë të spastrimit përreth 145 për qind. Ndonëse na presin edhe shumë sfida përpara, institucionet tona kanë shënuar rezultat në kryerjen e punëve të tyre dhe mbështetja ime dhe e Qeverisë do të jetë e plotë!”, ka deklaruar Haradinaj.