Haradinaj i drejtohet Kushtetueses për Fabrikën e Gypave në Ferizaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka drejtuar të enjten Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime lidhur me obligimet e Qeverisë së Kosovës në zbatimin e aktgjykimit përkitazi me statusin e punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj.
Haradinaj ka shkruar në profilin e vet në “Facebook”, se është e domosdoshme që te ketë qartësi në të drejta dhe obligime për zbatimin e vendimeve gjyqësore nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Në vazhdën e angazhimeve të mia për t’i adresuar kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, sot, i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime lidhur me obligimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e Aktgjykimit në Rastin KI-08/09, përkitazi me statusin e punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj.
Është e domosdoshme që te kemi qartësi në të drejta dhe obligime për zbatimin e vendimeve gjyqësore nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.