Haradinaj drekë pune me Hahnin
Në kuadër të Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Shkup të Maqedonisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar të mërkurën një drekë pune me komisionarin e BE-së për zgjerim, Johannes Hahn.
Në këtë drekë pune kanë qenë edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekulic dhe komisionerja evropiane për ekonominë digjitale dhe shoqëri, Mariya Ivanova Gabriel.
Forcimi i Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal dhe rruga evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishin temat që u diskutuan në këtë drekë pune.
Në këtë takim është theksuar se digjitalizimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është parakusht elementar për integrimin në Bashkimin Evropian.
Në mes tjerash, Kosova ka konfirmuar bashkërenditjen e saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor në heqjen e tarifave të roamingut brenda këtyre vendeve në fazën e parë dhe më pas me shtetet e BE-së, si dhe angazhimin konkret në digjitalizimin e Administratës Publike.
Samiti Digjital i vendeve të Ballkanit Perëndimor po mbahet në Shkup të Maqedonisë dhe Kosova po përfaqësohet nga vet kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet e vendit.
/Epoka e re/