Haradinaj: Duam paqe me Serbinë, por jo kompromis në dialog

09 shkurt 2021 | 17:13

Kandidati i AAK-së për president, Ramush Haradinaj, në një tubim në Suharekë, ka folur për të ardhmen e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe bisedimet me Serbinë.

Për dialogun me Serbinë, Haradinaj ka thënë se ky proces duhet të përfundojë pa bërë kompromis në integritet dhe sovranitet të vendit.

“Ne s’kemi çka me humbë më shumë sesa që kemi humbë në luftën e fundit, ne tani do të fitojmë. Pra nuk do të dorëzohemi, nuk do të bëjmë lëshime, nuk do të bëjmë kompromise. Do ta ruajmë Kosovën e 17 shkurtit me territor, me kufi, me atë që është”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, Kosova është e interesuar për të jetuar në paqe me Serbinë e rajonin, por duke e respektuar e mbrojtur atë që është e vetja.

“Dëshirojmë të jetojmë në paqe me Serbinë, dëshirojmë të jetojmë në paqe në rajonin tonë, por kuptohet duke u respektuar dhe duke e mbrojtur tonën”.

“Ne duam t’i japim fund konfliktit, asaj që ka mbetur e pambyllur me Serbinë. Por, gjithashtu dëshirojmë edhe me i dhënë një afat kohor të caktuar, pra nuk mundemi të presim pa kufi”, është shprehur Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tabelat në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut nuk do…