Haradinaj e Bytyqi marrin pjesë në inaugurimin e shkollës në Suharekë
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj dhe ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, kanë marrë pjesë në inaugurimin e shkollës së re në Tërrnjë të Suharekës.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se nuk ka simbolikë më të fuqishme se të fillojë viti i ri shkollor me një shkollë moderne si kjo është inauguruar në Tërrnjë të Suharekës.
“Ky projekt i Komunës i përfunduar për një vit, si rezultat i angazhimit të kryetarit Bali Muharremaj, dëshmon përkushtimin tonë për edukimin. Si qeveri kemi rritur buxhetin për arsimin për 12 për qind dhe kemi miratuar Ligjin për arsimtarët e viteve ‘90 që ua njeh atyre të drejtat e mohuara për dy dekada, kurse me Ligjin e Pagave, kanë përfituar rritje edhe mësuesit dhe arsimtarët. Jemi të përkushtuar për rritjen e cilësisë së edukimit, sipas standardeve evropiane”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se nuk ka fillim më madhështor dhe më të mbarë se të fillohet viti i ri shkollor në shkollë të re.
“Si ministri jemi të obliguar që të angazhohemi për ta kompletuar këtë shkollë edhe me pajisjet tjera të nevojshme, në mënyrë që t’ua lehtësojmë punën mësimdhënësve dhe ta bëjmë më të lehtë mësimnxënien për nxënësit tanë”, ka thënë Bytyqi.
/Epoka e re/