Haradinaj e Bytyqi pajtohen për jetësimin e projekteve të GIZ-it për cilësinë e arsimit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim përfaqësuesit e GIZ-it gjerman, të cilët kanë qenë të shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt.
Ai ka thënë se gjatë këtij takim se bashku me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi janë pajtuar që të t’i jetësojnë projektet e GIZ-it që mbështesin cilësinë në arsimin në Kosovë.
“Ngritja e cilësisë së arsimit në vend është synim parësor qeverisës dhe për këtë qëllim, për këtë fushë kemi rritur buxhetin për 12 për qind. Sot në takim me përfaqësuesit e GIZ-it gjerman, prirë nga udhëheqësi i projektit Boris Scharlowski, me ambasadorin Christian Heldt dhe ministrin e Arsimit të Kosovës, u dakorduam që së bashku t’i jetësojmë projektet e GIZ që mbështesin cilësinë në arsimin tonë, me avancimin e reformave si dhe me aplikimin e arsimimit dual, teorik dhe profesional”
“Përmirësimi i sistemit të arsimit, krijimi i shkollave kampione sipas modelit gjerman, menaxhimi i shkollave, gjithëpërfshirja dhe përmirësimi i rolit të mentorëve, me qëllim që të kemi një diplomë të konkurrueshme me shtetet e BE-së, janë disa nga prioritetet dhe ndihma e shtetit gjerman në adresimin e këtyre projekteve ishte dhe mbetet e domosdoshme”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/