Haradinaj e fuqizoi shtetin e Kosovës
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, e ka quajtur të dhimbshëm largimin nga Nisma Socialdemokrate.
Ai ka thënë se ka qenë i vështirë largimi nga subjekti të cilin e ka themeluar në Komunën e Gjilanit.
“Realisht të punosh gjatë në një vend apo për një subjekt dhe më pas të dalësh nga aty sigurisht se është e vështirë, sidomos kur je themelues dhe ke punuar shumë për atë subjekt. Të punosh gjatë, të japësh mund e sakrificë dhe përpjekje të jashtëzakonshme për një subjekt është ndarje e dhimbshme, por janë disa rrethana që të bëjnë të largohesh pa menduar dy herë. Jam shumë i nderuar që pas më kanë ndjekur edhe njerëzit me të cilët kemi punuar bashkë. Pothuajse e gjithë kryesia që ka qenë atje është larguar në të njëjtën kohë me mua. Ky fakt është një tregues se gjatë atyre viteve pune dhe përkushtim kam qenë i sinqertë me të gjithë dhe çdo punë të mirë e kemi bërë bashkë”, ka deklaruar Hasani në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka bërë me dije se vendimet e kryeministrit Haradinaj për fuqizimin e shtetit të Kosovës e kanë shtyrë t’i bashkohet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Të punosh përkrah një burri siç është Ramush Haradinaj është nder i veçantë. Me kryeministrin Haradinaj na ka lidhur puna dhe angazhimi prej kohës kur si opozitë i kemi kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme që atë botë ishin bërë në dëm të Kosovës. Aty e kam parë një njeri të vendosur dhe një karakter të pathyeshëm kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kufijve të Kosovës dhe interesave të këtij vendi”, është shprehur Hasani.
Anëtari i kryesisë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bajram Hasani, nuk e ka mohuar mundësinë që të jetë kandidat për deputet i koalicionit AAK-PSD, por ka thënë se për këtë vendosin kryesia dhe këshilli drejtues. Sidoqoftë, Hasani ka deklaruar se AAK-PSD është koalicion i fitores.
“Një gjë është e sigurt, se Aleanca po shkon drejt fitores. Puna dhe veprimet e subjektit tonë kanë treguar se ne jemi për një shtet të drejtë, ku qytetarët janë të gjithë të barabartë. AAK-ja dhe PSD-ja janë koalicion i fitores. Në listën e këtij koalicioni është e sigurt se do të jenë gra e burra që janë të dëshmuar në politikën e Kosovës”, ka theksuar ai, duke shtuar se krijimi i koalicioneve të tjera nuk e dëmton koalicionin AAK-PSD.
“Epoka e re”: Z. Hasani, ju tanimë jeni pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por në opinion pak keni folur për largimin nga Nisma Socialdemokrate. A qe vendim i vështirë largimi nga një subjekt politik, themelues i të cilit ishit në Gjilan?
Hasani: Realisht të punosh gjatë në një vend apo për një subjekt dhe më pas të dalësh nga aty sigurisht se është e vështirë, sidomos kur je themelues dhe ke punuar shumë për atë subjekt. Të punosh gjatë, të japësh mund e sakrificë dhe përpjekje të jashtëzakonshme për një subjekt është ndarje e dhimbshme, por janë disa rrethana që të bëjnë të largohesh pa menduar dy herë. Jam shumë i nderuar që pas më kanë ndjekur edhe njerëzit me të cilët kemi punuar bashkë. Pothuajse e gjithë kryesia që ka qenë është larguar në të njëjtën kohë me mua. Ky fakt është një tregues se gjatë atyre viteve punë dhe përkushtim kam qenë i sinqertë me të gjithë dhe çdo punë të mirë e kemi bërë bashkë. Tashmë opinioni i di arsyet e largimit tim dhe kjo është hera e fundit që unë flas për atë periudhë. Kam thënë edhe më herët se ai është një kapitull i mbyllur. Ditën kur jam dorëhequr dhe deri në fund e kam thënë se unë do të vazhdoj me kokën lart sepse çdo gjë e kam bërë me punë, përkushtim të madh, nder dhe dashuri për njerëzit e mi, qytetarët e Gjilanit dhe të Kosovës.
“Epoka e re”: Pse zgjodhët AAK-në si adresë për ta vazhduar karrierën politike?
Hasani: Të punosh përkrah një burri siç është Ramush Haradinaj është nder i veçantë. Me kryeministrin Haradinaj na ka lidhur puna dhe angazhimi prej kohës kur si opozitë i kemi kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme që atë botë ishin bërë në dëm të Kosovës. Aty e kam parë një njeri të vendosur dhe një karakter të pathyeshëm kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kufijve të Kosovës dhe interesave të këtij vendi. Pastaj, ky bashkëpunim ka vazhduar edhe pas ardhjes në pushtet. Për një vit sa kam qenë pjesë e kabinetit të Ramush Haradinajt si ministër i Tregtisë dhe Industrisë kemi bashkëpunuar në mënyrë tejet korrekte. Gjatë kohës sa kam qenë ministër Haradinaj, ndonëse ka kërkuar shumë punë nga ne ministrat, asnjëherë nuk është përzier në kompetencat tona dhe kur na është dashur ndihma e tij, ka qenë i gatshëm në çdo kohë. Kjo edhe krejt veprimet e tij gjatë kohës sa ka qeverisur si krijimi i ushtrisë së Kosovës, mbrojtja e prodhuesve vendorë, por edhe e konsumatorëve, duke i vendosur taksë të qindpërqindtë prodhimeve serbe, mbrojtja me çdo kusht e territorit të Kosovës nga rreziku që i cenohej për copëtim, më kanë shtyrë edhe më shumë që unë t’i bashkohem shtëpisë së madhe, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Përkundër luftës së vazhdueshme, kundërshtimeve si nga faktori vendor dhe nga ai ndërkombëtar, Haradinaj ka vendosur një standard të ri në politikëbërje në Kosovë. Me veprimet e tij ai ka treguar se ky vend ka zot shtëpie. Shumë prej nesh kemi qenë skeptikë se iniciativat e tij për ushtrinë dhe taksën do të shkojnë deri në fund. Por, fatmirësisht, u tregua se kur punon drejt dhe në të mirë të qytetarëve, asgjë nuk është e pamundshme.
“Epoka e re”: Së shpejti pritet të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. A do të jeni kandidat për deputet?
Hasani: Pas shpërndarjes së Kuvendit tashmë i është hapur rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Unë në AAK kam shkuar pa kushte dhe për kandidatët të cilët do të garojnë në këto zgjedhje do të vendosin strukturat e partisë. Cilido qoftë vendimi i kryesisë dhe këshillit drejtues unë do të pajtohem me ta. Një gjë është e sigurt, se Aleanca po shkon drejt fitores. Puna dhe veprimet e subjektit tonë kanë treguar se ne jemi për një shtet të drejtë, ku qytetarët janë të gjithë të barabartë. AAK-ja dhe PSD-ja janë koalicion i fitores. Në listën e këtij koalicioni është e sigurt se do të jenë gra e burra që janë të dëshmuar në politikën e Kosovës. Ky është një koalicion i fuqishëm. Nderi, atdhedashuria dhe puna janë vlerat që bartin emrat e listës së këtij koalicioni.
“Epoka e re”: AAK-ja nuk ka fuqi të madhe në Anamoravë. Cili do të jetë kontributi juaj për fuqizimin e kësaj partie në këto zgjedhje?
Hasani: Në fakt ky konstatim nuk qëndron. AAK-ja që prej themelimit të saj në Anamoravë e ka një elektorat stabil i cili dita-ditës po rritet. Emra të rëndësishëm të AAK-së janë nga rajoni i Anamoravës. Gjatë kësaj kohe sa jam në AAK kam dalë pothuajse çdo ditë dhe jam takuar me njerëz në Gjilan, Kamenicë dhe Viti, tek ata kam parë një disponim të mirë pro Ramush Haradinajt. Rritja e AAK-së në krejt Kosovën, por edhe në rajonin prej nga vij unë, është evidente. Nuk dua të jap fjalë të mëdha, por do ta jap kontributin tim maksimal në Anamoravë dhe Kosovë. Dua t’i falënderoj me këtë rast të gjithë anëtarët dhe drejtuesit e AAK-së për pritjen e jashtëzakonshme që më kanë bërë. Qytetarët e Anamoravës tash e kanë kuptuar se edhe ata vetë fuqizohen duke i votuar njerëzit e tyre, njerëzit e rrethit të vet. Besoj se në këto zgjedhje qytetarët e Anamoravës do të na mbështesin dhe bashkë do ta mundësojmë një zhvillim më të madh të rajonit tonë. Besoj se ata e kanë parë angazhimin e jashtëzakonshëm të kryeministrit Haradinaj, por edhe timen sa kam qenë ministër për Gjilanin, Kamenicën e Vitinë. Ka ardhur koha e njerëzve të zotë e të ndershëm të këtij rajoni që i ka dhënë shumë Kosovës, por gjithnjë ka mbetur i lënë pas dore.
“Epoka e re”: AAK-ja tashmë ka zyrtarizuar koalicion parazgjedhor me PSD-në, mirëpo z. Haradinaj pati shpresuar se këtij koalicioni do t’i bashkohen edhe AKR-ja dhe Nisma të cilat të premten kanë bërë koalicion dhe garojnë me një listë të përbashkët. Arritja e koalicionit Nisma-AKR e ka zbehur fitoren që po pretendon të ketë në këto zgjedhje koalicioni AAK-PSD?
Hasani: Secila parti i bën llogaritë e veta dhe vendos se me kë do të hyjë në koalicion. Këto janë çështje të ndara dhe nuk besoj se ky koalicion apo ndonjë tjetër do ta zbehë apo do të na dëmtoj neve. Unë mendoj se koalicioni AAK-PSD duhet të jetë i hapur për partitë që u vijnë pas.
“Epoka e re”: Çfarë pritjesh keni nga zgjedhjet e parakohshme?
Hasani: Kosovën e presin edhe më tej sfida të mëdha. Qeveria e Ramush Haradinajt ka vendosur baza të rëndësishme të fuqizimit edhe më të madh të shtetit të Kosovës. Krijimi i ushtrisë, faktorizimi i vendit tonë në dialog përmes vendosjes së taksës, mbrojtja e kufijve të Kosovës dhe ndalja e copëtimit, ndalimi me ligj i kazinove, mbrojtja e prodhuesit dhe konsumatorit tonë, Ligji për Trepçën dhe shumë vendime të mëdha të kësaj qeverie na kanë vënë në një pozitë më të volitshme. Ne kemi ende shumë për të bërë. Do të jemi fitues dhe në mandatin e ardhshëm do të punojmë edhe më shumë për qytetarët. Qeveria e ardhshme e Ramush Haradinajt do të garantojë një jetë më të dinjitetshme për qytetarin të cilin e kemi në rend të parë. Çdo vit do t’i rrisim pagat minimumi 10 për qind. Qytetarit të Kosovës do t’i krijohen kushte të dinjitetshme për të jetuar dhe nuk do të ketë arsye për t’u larguar më nga vendi.
Shqipe HETEMI