Haradinaj e Limaj në Reçak: Masakra e Reçakut mbetet plagë e thellë në historinë tonë
“Asnjëherë nuk do ndalemi së kërkuari drejtësi – për Reçakun dhe të gjitha masakrat në Kosovë!”, kështu ka thënë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili bashkë me Fatmir Limajn ndëruan të rënët e masakrës së Reçakut.
Haradinaj ka thënë se masakra e Reçakut mbetet plagë e thellë në historinë tonë, dëshmi e pamohueshme e gjenocidit dhe krimeve serbe ndaj popullit tonë.
“Në këtë ditë përkujtimi, përulemi me respekt të thellë para sakrificës sublime të 45 civilëve të pafajshëm, të cilët u bënë viktima të barbarisë në zemër të Evropës”.
“Ky krim i tmerrshëm, që tronditi ndërgjegjen e botës demokratike, shënoi kthesën vendimtare në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Sot, duke nderuar viktimat e Reçakut dhe të gjithë dëshmorët e kombit, jemi më të vendosur se kurrë që Kosova të ecë përpara e sigurt, direkt në NATO, krah aleatëve tanë strategjikë të udhëhequr nga Amerika. I përhershëm kujtimi për të rënët!”, ka deklaruar Haradinaj.