Haradinaj e Markoviqi pajtohen për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim homologun e tij nga Mali i Zi, Dushko Markoviq, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e partneritetit në mes të dy shteteve.
Haradinaj ka bërë me dije se pas këtij takimi ia ka dhuruar Markoviqit “Hartën e Artë të Kosovës” në shenjë vlerësimi për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërshtetërore .
“Kosova dhe Mali i Zi janë model i marrëdhënieve të shkëlqyera në rajonin tonë, të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta euro-atlantike dhe vizionin e të ardhmes prosperuese në paqe të përhershme. Në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, shprehëm vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, në veçanti për intensifikimin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona dhe rrugëtimin e përbashkët drejt BE-së. Si shenjë vlerësimi për angazhimin e kryeministrit Markoviq për paqe dhe stabilitet në rajon, dhe në ndërtimin e marrëdhënieve jashtëzakonisht të mira ndërmjet dy shteteve tona, i dhurova sot ‘Hartën e Artë të Kosovës’”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Takimit Haradinaj- Markoviq i ka paraprirë hapja e Qendrës Zhvillimore të Malazezve të Kosovës në Prishtinë.
/Epoka e re/