
Haradinaj e ministri turk i Mbrojtjes flasin për shkëmbimin e përvojave ushtarake Kosovë-Turqi
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim zyrtar ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Haradinaj ka thënë se me ministrin turk kanë biseduar edhe për shkëmbimin e përvojave ushtarake Kosovë-Turqi.
“Me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, bashkëbiseduam për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë shkëmbimet e përvojave dhe doktrinave ushtarake, në suaza të parimeve dhe standardeve të NATO-s. Duke e uruar ministrin Akar me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, e falënderova atë për kontributin e personelit ushtarak e civil turk brenda KFOR-it për paqe dhe siguri në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/