Haradinaj e Onorato diskutojnë për zgjerimin e programeve të IRI-t në Kosovë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) për Kosovë, Marta Onorato.
Haradinaj ka thënë se kanë biseduar për zgjerimin e programeve të IRI-t në Kosovë.
“Mundësia e zgjerimit të programeve të Institutit Ndërkombëtar Republikan në Kosovë, fuqizimi i të rinjve në politikë dhe vazhdimi i bashkëpunimit mes IRI dhe AAK, ishin temat e diskutimit të sotëm me drejtoreshën e Programit për Kosovë znj. Marta Onorato”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Haradinaj ka falënderuar drejtoreshën Onorato për bashkëpunimin në mes IRI-it dhe AAK-së.
“Nga znj. Onorato u njoftova edhe për projektet për vitin 2023, për të cilat i premtova bashkëpunim dhe bashkërendim. E falënderova për bashkëpunimin e deritanishëm mes IRI dhe AAK, duke theksuar faktin se Kosova gjithmonë ka gëzuar përkrahjen nga SHBA, në periudha të ndryshme historike, e për këtë do jemi gjithmonë mirënjohës”, ka theksuar Haradinaj.