Haradinaj e quan Kurtin mashtrues: Zgjodhi Borrellin e Lajçakun në vend të ShBA-së, mashtrimi nuk kalon
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar hetim ndërkombëtar në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit.
“Në këtë rezolutë kërkoj të përfshihet edhe kërkesa për një hetim ndërkombëtar. Ky hetim ndërkombëtar do të ndihmonte jo vetëm zbardhjen e involvimit të Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do të ndihmonte edhe bashkësinë ndërkombëtare që të ndëshkojë pra sponsorët e terroristëve dhe terroristët”, ka thënë Haradinaj në Kuvend.
Më tutje, ai ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti në lidhje me dialogun dhe anashkalimin nga Kurti të ShBA-së në favor të BE-së.
“Iu kam kërkuar mbështetuni, bazohuni te Uashingtoni për marrëveshje, merruni vesh me Uashingtonin për marrëveshjen për Serbinë për njohje. Kurti, pra kryeministri jonë, e ka zgjedhur të kundërtën, ka zgjedhë Borrellin dhe Lajçakun, i ka ikë Uashingtonin, i ka prishur marrëdhëniet dhe besimin me ta.” – tha ai tutje.
“Pyeteni veten pak nëse kish ndodhë kështu nëse do të kishte vepruar në kohë ashtu. Tani Kurti fajëson Borrellin dhe Lajçakun që vet i ka zgjedh, nuk e ka zgjedh Uashingtonin, por ka zgjedhur Borrellin dhe Lajçakun dhe i fajëson ata. Ju lutem, mashtrimi nuk kalon, jemi mashtruar që dy vjet, jemi mashtruar në Kosovë nga mashtruesi”, ka thënë Haradinaj.