Haradinaj e Rama zotohen për heqjen e taksave, romingut dhe unifikimin e doganave
Kosova dhe Shqipëria janë pajtuar që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e romingut në kuadër të telekomunikimt si dhe të heqin tarifat doganore.
Këto ishin vetëm disa nga vendimet që janë konfirmuar me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve dhe protokolleve në kuadër të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë të mbajtur sot në Pejë.
Aty, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është më se i domosdoshëm.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se qytetarët në Kosovë e Shqipëri presin edhe më shumë nga të dy qeveritë, por nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ai tha se e sheh si fillim të konkretizimit të prioriteteve të kahershme nga të dyja palët.
“Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me ShBA-në si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjik. Shqipëria çdo herë ka mund të llogaritë në Kosovën dhe çdo herë ka të drejtë të llogaritë në Kosovën, por edhe Kosova çdo herë ka llogaritë në Shqipërinë dhe kjo është dëshmuar edhe në vitin 1999, në ditët më të vështira të jetës sonë si komb”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përmendur edhe vendosjen e taksës doganore nga ana e autoriteteve të Kosovës për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja. Rama tha se vendosja e taksës doganore në shifrën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, ishte reagim ndaj padrejtësive që i bëhen Kosovës, shpesh herë edhe me mbështetjen e vendeve të ndryshme evropiane.
Përderisa i dha mbështetje tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, Rama tha se brenda një kohe të shkurtë, Kosova dhe Shqipëria do të kenë tarifa zero si dhe unifikim të plotë të doganave.
“Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, transit më 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapat e tjerë brenda gjashtë mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd apo Bruksel është i mirëpritur të vij, të ulet në tavolinë e t’ia shpjegojmë se nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjek shembullin e këtij bashkëpunimi”, ka thënë Rama.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që Prishtina dhe Tirana të krijojnë një fond të përbashkët për funksionimin e politikës së jashtme, e cila do të ndihmonte integrimin e të dy shteteve në Bashkimin Evropian, deri në vitin 2025.
Ndryshe, ky është takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri.
Por, jo rrallë herë, të dy qeveritë janë kritikuar nga ekspertët se marrëveshjet e nënshkruara kanë mbetur vetëm në letër, pa u zbatuar në praktikë. (Rel)