Haradinaj: Edhe 100 gjykata speciale le t’i bëjnë, lufta çlirimtare nuk mund të njolloset
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, është i bindur që partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje pasi nuk i kanë punët mirë në terren.
Ai ka thënë se i vetmi subjekt politik që është i gatshëm të shkojë në zgjedhje është AAK-ja dhe se janë shumë afër për të qenë subjekti i parë politik.
Haradinaj në një intervistë për “Kosovapress” ka folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Gjykatën Speciale, listat e veteranëve dhe për partitë tjera.
Deputeti Haradinaj ka thënë se rezultatet e punës së qeverisë aktuale janë të prekshme, ndërsa thotë se detyrë e opozitës është që të kritikojë.
Ai ka thënë se derisa opozita nuk e ka shumicën, koalicioni qeverisës është stabil.
Sa i përket dialogut me shtetin serb, deputeti Haradinaj ka thënë se me Serbinë mund të flasin vetëm për njohje reciproke.
Sipas tij, temat e brendshme të Kosovës janë të Kosovës dhe nuk ka çfarë të diskutohet me shtetin serb.
Gjykatën Speciale vazhdon ta sheh si vendim politik, ndërsa ka thënë se nuk ka marrë ftesë për t’u intervistuar nga kjo gjykatë.
Deputeti Haradinaj ka theksuar se të gjithë që kanë qenë në luftë kanë kryer detyrën e shenjtë për lirinë e vendit dhe duhet të ndjehen krenar. Në këtë kontekst, deputeti Haradinaj ka thënë se edhe 100 gjykata po të bëhen nuk mund ta njollosin luftën çlirimtare të Kosovës.