Haradinaj: Edhe katër ditë deri në fitore

05 shkurt 2025 | 12:51

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-Nisma dhe të tjerët, Ramush Haradinaj, ka shkruar në “Facebook” për ditën e zgjedhjeve, 9 shkurtin.
Ai ka thënë se edhe katër ditë i ndajnë deri te fitorja.

“Edhe katër ditë deri në fitore – Kosova Fituese 137. Të dashur qytetarë. E nisëm bashkë duke nderuar sakrificën për liri në Prekazin heroik; vazhduam në Prishtinë dhe me tubime madhështore në mbarë vendin. Entuziazmi dhe vendosmëria juaj, është tregues që jemi në rrugën e drejtë, rrugën që Kosovën e çon drejt përparimit e zhvillimit, direkt në NATO, përkrah Amerikës e demokracive botërore. Ju falënderoj secilin, emër për emër, për përkrahjen e pakursyer dhe madhështore. Gjithashtu, falënderoj mediat që na qëndruan pranë, duke raportuar aktivitetet dhe duke shpërndarë mesazhin tonë për Kosovën Fituese”, ka shkruar Haradinaj.

“Mbrëmë takova banorët e kryeqytetit tonë, zemrës së Kosovës. E sot, kur kanë mbetur edhe 4 ditë rrugëtim, para ditës së madhe, do të jem me banorët fisnik të Kabashit në Korishë të Prizrenit; me rininë e mrekullueshme të Suharekës në Shirokë; e ditën do e përfundoj me hasjanët bujarë e atdhedashës në Lubizhdë. Te enjten, do takohem me gastronomët tanë punëtorë, për të vazhduar me tubimin e madh në Malësinë e Vogël të Rahovecit”, ka shkruar tutje Haradinaj.

“Në Rahovecin e rezistencës do të qëndroj edhe të premten, në muzeun e luftës çlirimtare dhe pranë grave të çelikta të Krushës së Madhe. Ditën e premte, do ta mbylli me tubim madhështor në Gjakovën e heronjve. Peja e Haxhi Zekës, Peja e zemrës sime, do të jetë nikoqire e tubimit përmbyllës të Kosovës Fituese. Ditën e shtunë, nga aty do të përçojmë porosinë tonë për një Kosovë të fortë e të zhvilluar, e për një të ardhme të ndritur që nis nga java tjetër. Të dielën vendosim për Kosovën ku fitojnë të gjithë. Vendosim për fatin tonë. Vendosim për fëmijët tanë. Mirupafshim me 9 shkurt te kutitë e votimit, te numri 137, për Kosovën Fituese”, ka shkruar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti shqiptar në Kantonin e Bernit në Zvicër Korab Rashiti,…