Haradinaj: Edhe një takim koti i dialogut Kosovë-Serbi
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “takim koti” mbledhjen e palës kosovare dhe asaj serbe në kuadër të dialogut mes dy vendeve në Bruksel.
Haradinaj ka cilësuar se në dialog duhet të përfshihet SHBA’ja e të mos i lihet në dorë BE’së, derisa ka thënë se “secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve”, përcjell Gazeta Expresss.
“Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Kurti përgjatë së hënës ka zhvilluar një takim në Bruksel me Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Takimi u tensionua si rezultat i refuzimit të Dokumentit të Paqes, i cili sipas kryeministrit të Kosovës u refuzua nga presidenti serb për shkak të togfjalëshit “përballja me të kaluarën”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Edhe një takim koti i dialogut Kosovë-Serbi.
Secila palë ka veç një interes, që me retorika populiste ta mashtrojë popullin e vet në prag të zgjedhjeve!
Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos bëjë asgjë në këtë proces. Ai nuk po don me e kuptu se pa përfshirjen e SHBA, dialogu është i vdekur. Ai nuk po don me e kuptu se me Borelin e Lajçakun është në qorrsokak.
Sa më larg të shtyhet përfshirja e një emisari amerikan në dialog, dëmi do të jetë më i madh, edhe për Kosovën edhe për Kryeministrin!
Po të ishte Amerika në dialog, tashmë do të ishim në prag të marrëveshjes përfundimtare! A ka njeri që mund t’ia shpjegojë këtë Albin Kurtit!?
RH