Haradinaj emëron këshilltar të jashtëm një arbresh të Italisë
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka emëruar këshilltar të jashtëm Rosario Petta, kryetar i Komunës Piana Degli Albaneze në Itali.
“Ne dëshirojmë të ju ndihmojmë dhe përkrahim sikurse në ruajtjen e gjuhës, traditave e zakoneve, por po ashtu duam që të ndërlidhim dhe shkëmbejmë në ekonomi, kulturë, e njëkohësiht edhe në ndjenja njerëzore të dashurisë”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, në pritjen e organizuar nën patronatin e kryeministrit për delegacionin e komunave të Arbërshëve të Italisë.
Pasi falënderoi të pranishmit, kryeministri Haradinaj tha se beson shumë se lidhja jonë me arbëreshët nuk është vetëm lidhje e gjakut mes shqiptarëve, por kjo ëstë një lidhje edhe e shqiptarëve në Itali.
“Pra kur lidhemi ne me ju arbërëshet, me kombin, me shqiptarët kudo që jemi, atëherë e kemi lidh edhe më shumë Italinë më shqiptarët dhe besoj shumë se institucionet e Italisë jo vetëm që do ta përkrahin këtë lidhjen tonë, të njerëzve të gjakut, heronjtë që ekzistojnë të shqiptarët që në qindra vjet kanë ruajtur traditën dhe vlerat e veta dhe i qëndruan përkrah heroit tonë Gjergj Kastriotit por edhe të atyre që e kanë ruajtur kujtesën, dinjitetin dhe atyre që edhe sot na nderojnë me vlerat kulturore” shtoi kryeministri Haradinaj.
Kjo, siç tha kryeministri Haradinaj është një pasuri e përbashkët e Italisë dhe shqiptarëve.
Ndërkaq, Rosario Petta, kryetar i Bashkisë së Piana degli Albanesi, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj për mikpritjen që ia kanë dedikuar dhe ofruar sot tha se ndihen të nderuar për respektin që ia kanë dhënë institucionet duke shpresuar që ky të jetë fillimi i korridorëve të reja në mes të arbëreshëve dhe institucioneve të Kosovës dhe më gjerë.
Nga një fjalë e kanë mbajtur edhe zëvëndëskryeministri dhe ministri i Diaporës, Dardan Gashi, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, zëvëndësambasadori i Italisë, Matro Koradini, ndërsa në emër të arbëreshëve foli famullari i katedrales në Piana degli Albanesi, Papas Jani.
Në fund kryeministri Haradinaj u ka dhuruar pjesëmarrësve librin portrete të Skënderbeut.