Haradinaj: Energjia, shtyllë e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e ambasadës gjermane në Kosovë, drejtorin e KfW, Rene Eschemann, kryeshefin e KOSTT-it, Ilir Shala, kryetarin e Bordit të ZRrE-së, Arsim Janova, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në sektorin e energjisë, stabilitetin e energjisë elektrike në vend, kyçjen e burimeve të ripërtërishme, përmirësimet në rrjet dhe partneritetin me institucionet ndërkombëtare në këtë fushë.
Në takim, ku ishin të pranishëm edhe ministrat Endrit Shala dhe Valdrin Lluka, Haradinaj ka falënderuar përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe të ambasadës gjermane, për kontributin e tyre, në fusha të ndryshme veçmas në sektorin e energjisë.
Duke vlerësuar rëndësinë e energjisë, Haradinaj ka thënë se energjia është shtyllë e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, parakusht i rritjes së investimeve të brendshme dhe atyre të jashtme, si dhe parakusht i mirëqenies së qytetarëve.
Haradinaj është njoftuar nga përfaqësuesit e ZRrE-së dhe KOSTT-it, me punët dhe sfidat në dikasteret e tyre përkatëse, furnizimi i rregullt me energji, si dhe kosto e energjisë.
Po ashtu, në takim është theksuar nevoja që Kosova të ketë një qasje më proaktive për të përmirësuar pozitën e saj sa i përket institucioneve ndërkombëtare të sektorit të energjisë, si një nga fushat jetike të mirëqenies së qytetarëve.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e KfW, të ambasadës gjermane, kanë theksuar mbështetjen për Kosovën në fusha të ndryshme dhe në sektorin e energjisë.
/Epoka e re/