Haradinaj: Është bërë një analizë për policët e zhdukur, por ende nuk është për opinionin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ujërat e rrëmbyeshëm të lumit Lepenc të kenë marrë trupat e dy policëve të zhdukur jashtë territorit të vendit tonë.
Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se Policia e Kosovës ka bërë një analizë të rastit, por i cili ende nuk është për publikun.
“Krejt jemi të pakënaqur që s’i kemi gjetur dy policët. Po krejt çka ka Kosova në dorë jemi duke e bërë, me ushtri, me polici, me zhytës. Po dominon vlerësimi se duhet të rikthehemi për kërkim. Me këta ujë të rrëmbyeshëm ekziston mundësia e nxjerrjes së trupave jashtë Kosovës. I kisha bërë të fala një zhytësi që po e quan vetën ‘maestro’, e kish lutur mos t’iu bëjë presion këtyre djemve nga të nxehtit atje”, ka thënë Haradinaj gjatë një vizite në vendin ku po bëhen kërkimet për dy policët e humbur në lumin Lepenc.
Duke folur rreth mundësisë së kërkimit të dy policëve të zhdukur edhe në territorin maqedonas, Haradinaj ka thënë se kjo nuk mund të bëhet pa përfunduar kërkimet brenda territorit të Kosovës.
Dy policët e Kosovës janë zhdukur në mbrëmjen e së shtunës së kaluar kur vetura e tyre ka rënë në lumin Lepenc.