Haradinaj: Është fat i madh që Dogana vazhdon të jetë institucion kredibil
“Jam thellë i bindur se kushdo që hynë në Kosovë kur ju takon juve fiton respekt për vendin dhe popullin tonë, përmes juve, dhe ju falënderojmë për prezantimin e parë që i bëni Kosovës, për punën e mirë që bëni jo vetëm duke siguruar se Kosova ka të hyrat që i takojnë në bazë të ligjit përmes qarkullimit të mallrave, hyrjes së mallrave në Kosovë, por edhe duke mbrojtur Kosovën nga të gjitha rreziqet që i kanosen në kufij”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e shënimit të 20- vjetorit të themelimit të Doganës së Kosovës.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj ka deklaruar se dogana është partnere e gjithë afaristëve, sipërmarrësve, ekonomisë së vendit, sepse i mundëson atyre qarkullim të shpejtë të mallrave dhe të të mirave të tyre.
Haradinaj tha se ka sfida, por duhet të jemi më të saktë në punë, të jemi ambicioz, të punohet më shumë dhe të bëhet kujdes i duhur që me të gjithë ata që punojmë, të na besojnë. “Është fat i madh që institucionet e sigurisë në Kosovë janë të besueshme, duke filluar nga ushtria, institucionet e rendit dhe ligjit, policia, inteligjenca, dogana dhe institucionet tjera që kanë mision ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend. Mund të bëjnë më shumë në të ardhmen dhe ju ftoj që të jemi bashkë në këtë drejtim”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, duke theksuar se i gëzohet faktit që dogana është anëtare e Organizatës Botërore të Doganave, punohet me standarde të avancuara dhe se premtimi i tij për 100% Kosovë është i vërtetë dhe jo vetëm në këtë periudhë.
Kurse, drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka deklaruar se Dogana gjatë këtyre 20 vjetëve ka treguar rezultate në misionin e vet dhe vlerësohet si një nga institucionet me vlerat më të larta organizative dhe që nga themelimi ka qenë ndër kontribuuesit kryesor në mbledhjen e të hyrave. “Dogana, deri më sot, ka arritur që për buxhetin të shtetit të mbledhë rreth 13 miliardë euro, shumë e rëndësishme për forcimin e shtetit”, u shprehe Berisha, duke shtuar se misioni i saj është edhe luftimi i krimeve transkufitare, kontrabandës, ekonomisë joformale, etj.
Në shënimin e 20-vjetorit të Doganës së Kosovës, pjesëmarrës ishin përfaqësues të shumtë të institucioneve nga vendi dhe bota.
/Epoka e Re/