Taksa rriti vetëbesimin në prodhim

24 dhjetor 2019 | 16:27

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka vizituar të martën Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), ku u prit nga kryetari i saj, Agim Shahini me bashkëpunëtorë, ndërsa pas takimit mori pjesë edhe në konferencën përmbyllëse të vitit të AKB-së.

Në këtë konferencë, Haradinaj ka thënë se viti 2019 nuk ka qenë vit i lehtë për ekonominë e vendit, duke kujtuar disa ngjarje që e kanë shënuar këtë vit.

“Mendoj se është e arritur e madhe fakti se ka arritur të implementohet Ligji për ‘Trepçën’, sepse duke u implementuar ky ligj për ‘Trepçën’ jep disa efekte: E para krijon situatë të pastër të statusit ligjor të resurseve në vendin tonë, të gjitha resurseve, pra me këtë përmbyllet kapitulli se të kujt janë resurset ose pasuritë natyrore të vendit tonë dhe kësisoj ‘Trepça’, është e gatshme për të operuar dhe për të bërë biznes. Për herë të parë pas vendosjes së taksës e kemi zbuluar veten se kush jemi në ekonomi, sepse taksa na ka detyruar të ballafaqohemi me vetveten, tregtarin, prodhuesin dhe shërbyesin. Duhet t’i gëzohemi faktit se tani e njohim veten në prodhim, kush jemi ne, kush është Kosova, kush është ekonomia e Kosovës në prodhim. Është hera e parë që e kemi rritur vetëbesimin në prodhim, në produktet tona dhe në ekspertizën tonë. Konsumatori, qytetari i Kosovës është njohur me to dhe kjo është një ngjarje e madhe”, u shpreh Haradinaj.

Ai ka deklaruar se është e vërtetë se është rritur eksporti i Shqipërisë për 30 për qind në Kosovë. “Është gabim i madh vendosja e taksës në Rrugën e Kombit, dhe e çmimit për skaner për një transportues 42 euro, dhe kjo ka rezultuar me 13 milionë euro taksë për shkëmbimet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë ai.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se i është vendosur një dënim marrëdhënies Kosovë-Shqipëri prej 13 milionë eurosh për qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave. “Sikurse këto 13 milionë euro t’i kishim investuar në lehtësirat e qarkullimit të ndërsjellë, jam i sigurt që prej atyre 450 milionëve Shqipëria do të mund të ishte rritur shumë. Kjo tregon se ne nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë Kosovë-Shqipëri por përkundrazi i kemi vendosur vetës pengesa duke e fajësuar njëri-tjetrin”, u shpreh ai.

Ndërkaq kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka folur për zhvillimet pozitive që i ka sjell për ekonominë e vendit, vendosja e taksës duke e falënderuar kryeministrin për qëndrueshmërinë e tij në këtë çështje.

Ai ka thënë se efekti i taksës ka qenë shumë i madh dhe ka rritur qarkullimin e brendshëm mbi 100 milionë dhe punësimin në rreth 5 000 të rinj.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmë në mesnatë është plagosur, Boris Mutkov i njohur me…