Haradinaj: Është jetike që Kosova të ketë qeveri me kapacitete të plota
Ish-kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Dita Ndërkombëtare e Punës e gjen vendin tonë në betejë me Covid-19, ku pjesa më e madhe e ekonomisë tashmë ka pushuar.
Ai ka thënë se është jetike që Kosova ta ketë një qeveri , e cila do të punonte me kapacitete të plota për rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
“Dita Ndërkombëtare e Punës, na gjen në betejë me Covid-19, kur pjesa më e madhe e ekonomisë sonë ka pushuar. Të vetëdijshëm se do të na duhet kohë për rimëkëmbje, është jetike që Kosova në këtë periudhë ta ketë një Qeveri, e cila mund të punojë me kapacitete të plota, që shteti të ndërmarrë hapa të guximshëm dhe masa të infuzionit për ekonominë tonë, por edhe për t’u bërë krah i atyre që kanë humbur punën, si pasojë e pandemisë. Qëllimi ynë duhet të jetë mirëqenia e punëtorëve dhe konsolidimi i tyre financiar, por edhe fokusi tek të papunët dhe kategoritë sociale. Askush nuk do të braktiset dhe së bashku do t’ia dalim. Mbarë punonjësve të vendit, urime 1 Maji!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.