Haradinaj: Është koha e konsolidimit të shtetit
Qeveria e vendit ka mbajtur sot një mbledhje solemne për nder të 11- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se secili qytetar i Kosovës e ka rrëfimin e tij për rrugëtimin e shtetit të Kosovës për këto 11 vjet.
“Mendoj se është me rëndësi t’ua konfirmojmë qytetarëve të vendit se me kujdesin më të madh jemi përballur me të gjitha temat që janë ndodhur para Kosovës dhe Qeverisë dhe njëkohësisht me respektin më të madh jemi kujdesur për interesin e qytetarëve të vendit. Ka shumë vendime, ligje, pako ligjore dhe reforma që janë bërë. Po ashtu ka vendime të mëdha si Ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën dhe resurset tjera ekonomike”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur Kosova do të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura ,duke përmendur kështu edhe marrëveshjen finale me Serbinë.
“Ajo që dua të them është se në 10-vjetorin e dytë është periudha e konsolidimit tonë si shtet dhe e kemi edhe marrëveshjen ligjërisht të obligueshme me Serbinë dhe anëtarësimin yni në NATO”, ka theksuar Haradinaj.
Ai ka thënë se Kosova gjatë rrugëtimit të saj ka hasur në sfida. “Jemi edhe tash në sfida dhe do të sfidohemi në të ardhmen por Kosova nuk e ka luksin të bëjë hapa prapa por vetëm hapa para”, ka thënë Haradinaj.