Haradinaj: Është koha t’i ndëshkojmë mashtruesit

21 dhjetor 2023 | 21:13

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ndodhet në një situatë të rëndë politike ku duhet t’i jepet fund një mendësie politike e cila Republikës sonë i solli vetëm regres dhe sanksione pas aq shumë vitesh liri e shtet.

Kështu ka thënë Haradinaj në takimin e grupit koordinues të degëve të rajonit perëndimor të vendit që u mbajt në Istog.

“Takimin e radhës së grupit koordinues të degëve të rajonit perëndimor të vendit e zhvilluam në Istog. Me kolegë zhvilluam një diskutim të frytshëm për zhvillimet politike, aspektet organizative dhe sfidat që na presin në vitin 2024”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se AAK-ja është e gatshme për t’i dhënë fund mashtrimit që i ka bërë vendit partia në pushtet.

“Ishte konkluzion i përbashkët që Aleanca kurrë nuk ka qenë më e konsoliduar, si në aspektin organizativ e po ashtu në pozicionin e saj politik. Aleanca është e gatshme dhe e vendosur për t’i dhënë fund mashtrimit që i ka bërë vendit partia në pushtet. Kjo ndodh duke ndëshkuar mashtruesit që sot qeverisin me vendin, për të rikthyer perspektivën për një të ardhme të ndritshme dhe për t’i hapur rrugë Kosovës për integrim në NATO dhe BE”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se është koha që t’i dalim zot vendit, t’i ndëshkojmë mashtruesit duke refuzuar nënshtrimin dhe mashtrimin e sërishëm.

“Qytetari i Kosovës nuk e pranon nënshtrimin ndaj mashtruesve! Prandaj është koha që t’i dalim zot vendit, t’i ndëshkojmë mashtruesit duke refuzuar nënshtrimin dhe mashtrimin e sërishëm. Jemi në një situatë kur duhet të rreshtohemi krah Kosovës dhe të ardhmes saj për ti dhënë fund një mendësie politike e cila Republikës sonë i solli vetëm regres dhe sanksionet pas aq shumë vitesh liri e shtet”, ka përfunduar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëatdhetarë të shumtë kanë marrë rrugën për në Kosovë për…