Haradinaj: Është momenti i fundit që ta ndryshojmë ambientin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në aksionin e pastrimit në kuadër të Task Forcës “Ta pastrojmë Kosovën”, te deponia pranë Stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj fillimisht falënderoi të gjithë vullnetarët dhe ata që po angazhohen në këtë iniciativë, duke thënë se kjo gjendje jo e mirë është lënë gjatë, por tani është koha e fundit që vërtetë të mos lejohet më.
Haradinaj ka thënë se aksioni i nisur për pastrimin e Kosovës e ka një peshë shumë të madhe, duke besuar se është e kuptueshme tashmë se sa rëndësi ka kjo iniciativë.
“Falënderoj të gjithë vullnetarët, komunën, rininë e të gjitha partive dhe kompanitë. Është e pakuptimtë dhe këtë gjendje nuk do ta lejojmë më. Në të ardhmen do të ketë edhe masa ndëshkuese”, është shprehur kryeministri Haradinaj.
Koordinatori i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, ka ftuar të gjithë qytetarët që të vazhdojnë ta ruajnë ambientin dhe të ndihmojnë në ruajtjen e ambientit.
“E kemi obligim që të kujdesemi për hapësirat publike dhe bëj apel të gjithëve që të bashkohen në aksionin ‘Ta pastrojmë Kosovën’. Kështu do të vazhdojmë deri më 15 dhjetor kur do ta kemi Kosovën e pastër dhe do të kujdesimi që këto hapësira të mirëmbahen dhe të ruhen”, ka thënë Hasanaj.
Arbena Reshitaj, këshilltare e kryeministrit Haradinaj, ka thënë se sot më shumë se kurrë po vërehet se sa i rëndësishëm është respektimi i ligjeve mjedisore, implementimi i Udhëzimit Administrativ, i cili është gati dhe shumë shpejt do të miratohet nga Qeveria, për të filluar me ndëshkim për ata që ndotin ambientin.
“Ne po e pastrojmë Kosovën, por ajo që do ta mbajë pastër është respektimi i Udhëzimit Administrativ dhe besoj se me këtë kampanjë e cila po përkrahet fuqishëm nga Qeveria do të jepet një mesazh te qytetarët dhe ata të reflektojnë se sa i rëndësishëm është respektimi i ligjit”, ka deklaruar Reshitaj.
Aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, iu bashkuan edhe tifozët “Dardanët” dhe vullnetarë të tjerë, si dhe kompani të ndryshme të pastrimit.
/Epoka e re/