Haradinaj: Falënderim të posaçëm për ushtarët dhe ushtaret që bëjnë sonte roje
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e përfundoi ciklin e vizitave të sotme, duke vizituar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe vendqëndrimin e rojeve kujdestare.
Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar edhe nga ministri i FSK-së, Rrustem Berisha si dhe gjenerali Rrahman Rama, tha se kjo vizitë për të është shumë domëthënëse.
“Jam sot këtu për t’i takuar ushtarët e Kosovës, ata që bëjnë roje sonte. Më vjen mirë për pritjen që ma bënë gjenerali Rama dhe Ministri Berisha, pra e ndjejë situatën nëpër të cilën kalon secili ushtar dhe ushtare sot, në këtë të ftohtë në të gjitha qendrat”, theksoi kryeministri Haradinaj.
Dhe për këtë, kryeministri Haradinaj tha se shpreh falënderimin për shërbimin e tyre që të jenë në gjendje gatishmërie e nevoje për t’iu përgjigjur kërkesave tjera nëse ka nevojë.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, e falënderoi kryeministrin për vizitën në Ministri dhe vendqëndrimin e rojeve kujdestare si dhe për mbështetjen në vazhdimësi, duke thënë se në fund të këti viti u hap një kapitull i ri për FSK-në dhe se viti që vjen është mjfat sfidues.
Gjenerali i FSK-së, Rrahman Rama, tha se është nder dhe privilegj vizita e sotme e kryeministrit Haradinaj dhe se urimi për këta ushtarë e ushtare që shërbejnë sot është i veçantë.